Slider

Licencimi

Licencimi

Baza Ligjore mbi Licencimin e Biznesit

Ligji nr. 10081, datë 23.02.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar

Ligji parashikon parimet për përcaktimin e atyre veprimtarive ekonomike ose përdorimeve të të mirave publike, të cilat iu nënshtrohen procesit të licencimit dhe/ose lejimit, si dhe parimet për përcaktimin e kushteve, procedurave, afateve të vlefshmërisë dhe shkaqet e procedurat e revokimit të tyre.

Licencat dhe lejet, sipas fushave dhe kategorive, si dhe fushat e autorizimeve, në kompetencë të institucioneve qendrore, parashikohen në shtojcën që i bashkëlidhet ligjit dhe është pjesë përbërëse e tij.

Kërkesat për licencat dhe lejet e parashikuara në shtojcë apo nënkategoritë e tyre, si dhe për autorizimet, sipas fushave të parashikuara në shtojcë, apo kategoritë e nënkategoritë e tyre trajtohen, si rregull:

  • Nga/apo nëpërmjet QKB-së, në këtë rast ligji i sipërpërmendur parashikon procedurat e paraqitjes së kërkesës, shqyrtimit dhe vendimmarrjes.

  • Pa përfshirjen e QKB-së, në këto raste të veçanta, procedurat kryhen nga organet e përcaktuara sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

  • VKM-ja nr. 538, datë 26/05/2009, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit, (QKB) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, i ndryshuar.

Kjo VKM bën ndarjen midis licencave/lejeve që trajtohen nga/ose nëpërmjet QKB-së dhe licencave/lejeve që trajtohen pa përfshirjen e QKB-së.


 

Subjektet që Kanë Detyrimin për të Marrë një Licencë, Leje ose Autorizim

Procesi i licencimit/lejimit bazohet edhe në legjislacionin sektorial në fuqi, i cili rregullon fushat ku kërkohet licencë/leje, duke përcaktuar, ndër të tjera, edhe kriteret e hollësishme dhe dokumentet provuese të nevojshme për pajisjen me licencën/lejen përkatëse.

Legjislacioni në fushën e licencimit/lejimit mund të konsultohet në faqen zyrtare të internetit të QKB-së.

Çdo person fizik apo person juridik, i pajisur paraprakisht me NUIS, (NIPT) që ushtron një veprimtari dhe/ose që përdor një të mirë publike dhe/ose kryen një apo disa veprime të caktuara, për qëllime të natyrës ekonomike, tregtare, profesionale dhe të çdo natyre tjetër të ngjashme, përveç atyre të natyres vetjake, të cilat përfshihen në fushat, kategoritë dhe nënkategoritë e shtojcës së ligjit nr. 10081/2009, ka detyrimin të pajiset me licencë/leje/ autorizim.

Ushtrimi i veprimtarive dhe kryerja e veprimeve në kuadër të këtij aktiviteti tregtar, janë, si rregull, të lira dhe nuk i nënshtrohen licencimit apo autorizimit.

Në raste të veçanta, kur parashikohet me ligj, ushtrimi i një veprimtarie apo kryerja e një veprimi do t’i nënshtrohet procesit të licencimit apo autorizimit, vetëm nëse plotësohen këto dy rrethana:

  1. Ushtrimi i veprimtarisë apo kryerja e veprimit në mënyrë të parregullt mund të cenojë jetën, shëndetin, të drejtat e interesat e ligjshëm të shtetasve, sigurinë e rendin publik, sigurinë kombëtare, konkurrencën e ndershme apo mirëfunksionimin e tregut, një të mirë publike, objektivat sociale dhe çdo interes tjetër publik të kësaj natyre.
  2. Garantimi i përshtatshëm i interesave të përcaktuar më sipër, nuk mund të arrihet pa një proces vetëdeklarimi, shqyrtimi, inspektimi e vlerësimi të përmbushjes së disa kritereve të paracaktuara, përpara fillimit të veprimtarisë apo të kryerjes së veprimit.

Kushtet e posaçme dhe kriteret e licencimit/lejimit, si dhe dokumentacioni që provon përmbushjen e këtyre kushteve/kritereve janë të mirëpërcaktuara në VKM-në nr. 538/2009 dhe në legjislacionin sektorial.

 

Grupet e Licencave dhe Lejeve

Për nga procedura e aplikimit, afatet e vendimmarrjes, si dhe dokumentacioni i kërkuar, licencat dhe lejet që trajtohen nga/ose nëpërmjet QKB-së ndahen, në 3 grupe:

  • Grupi 1 , përfshin ato kategori ose nënkategori për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve të licencimit bazohet vetëm në vetëdeklarimet e kërkuesit. QKB-ja merr në shqyrtim kërkesat për grupin 1, sipas radhës së paraqitjes së tyre dhe merr vendim në një afat prej 2 ditësh pune, nga data e paraqitjes së kërkesës.

  • Grupi 2 përfshin ato kategori ose nënkategori për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve të licencimit, bazohet përveçse në vetëdeklarimet edhe në dokumentet provuese të paraqitura nga kërkuesi. QKB-ja shqyrton kërkesat për grupin 2, sipas radhës së paraqitjes se tyre dhe merr vendim në një afat prej 4 ditësh pune, nga data e paraqitjes së kërkesës.

  • Grupi 3 përfshin ato kategori ose nënkategori për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve të licencimit, përveçse në vetëdeklarimet dhe dokumentet provuese të paraqitura nga kërkuesi, bazohet edhe në kryerjen e një procesi inspektimi, testimi, gare, interviste, dëgjimi apo metodë tjetër vlerësimi. QKB dhe institucioni që mbulon fushën e veprimtarisë, vendosin në varësi të afatit të përcaktuar në legjislacionin sektorial.

 

Aplikimi dhe Dokumentacioni

Personat e ngarkuar për paraqitjen e kërkesës për pajisjen me licencë/leje

Kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi ligjor i subjektit që kërkon të pajiset me leje apo licencë, apo një person i autorizuar prej tij, pranë sporteleve të QKB-së.

Dokumentacioni provues që duhet të dorëzohet në momentin e aplikimit

Personi që paraqet kërkesën, në momentin e aplikimit, duhet të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm provues e shoqërues të përcaktuar në ligjin nr. 10081/2009, VKM-në nr. 538/2009 dhe në raste të veçanta nga legjislacioni sektorial.

Detaje mbi kategoritë dhe dokumentacionin i gjeni në linkun .

Mënyrat e aplikimit për pajisjen me licencë/leje

Aplikimet për pajisjen me licencë/leje mund të kryhen në dy mënyra:

  • tek sportelet fizike të shërbimit të QKB-së
  • online nëpërmjet portalit elektronik