Procedurat e aplikimit
Procedurat e aplikimit
1. Aplikimi tek AIDA nga Ministrat e Linjës Përgjegjës për Projektin
Kur aplikimi tek AIDA bëhet nga Ministrat e linjës përgjegjës për projektin, kërkesa duhet të shoqërohet me një relacion shpjegues mbi rëndësinë strategjike të projektit, si dhe përshkrimin e detajuar të elementëve të mëposhtëm:
- Vlerën totale të parashikuar të investimit.
- Kohën e nevojshme për realizimin e investimit.
- Produktivitetin dhe vlerën e shtuar që do të sjellë investimi.
- Mundësitë e punësimit dhe hapja e vendeve të reja të punës, që parashikohen si pasojë e investimit.
- Përputhshmërinë e projektit me politikat dhe prioritetet ekonomike sektoriale.
- Mundësitë e zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal që paraqet investimi.
- Mundësitë e zhvillimit dhe përmirësimit të kushteve e standardeve për prodhimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve që paraqet investimi.
- Teknologjitë e reja që sjell investimi, të cilat rrisin konkurrencën dhe efektivitetin.
- Rritjen e nivelit të përgjithshëm të sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve, si pasojë e realizimit të investimit.
- Mbrojtjen e mjedisit dhe të konsumatorit që garanton projekti.
2.Aplikimi Paraqitet nga Investitori Propozues i Projektit
Kur aplikimi paraqitet nga investitori propozues i projektit kërkesa shoqërohet me planin e biznesit të investimit, si dhe informacion mbi:
- Identiteti i investitorit dhe i partnerëve të tij.
- Përshkrimi i detajuar i projektit të investimit.
- Përshkrim i detajuar i punëve që do të realizohen dhe shërbimeve që do të ofrohen sipas projektit investues.
- Analizë e detajuar e afateve kohore që do të duhen për të realizuar projektin investues, si dhe fazat e realizimit të tij.
- Përshkrimi i karakteristikave të investimit që i referohen, specifikisht, zhvillimit të teknologjive të reja dhe mbrojtjes së mjedisit.
- Analizë financiare e të gjithë projektit investues si dhe analizë e shpenzimeve financiare, që do të nevojiten për realizimin e çdo faze të projektit.
- Analizë e detajuar mbi impaktin që punët dhe shërbimet e projektit mund të kenë mbi mjedisin dhe në planet urbanistike.
- Analizë e detajuar e impaktit ekonomik dhe social të pritshëm nga realizimi i projektit investues.
- Analizë e përfitimeve me interes publik që parashikohet të ketë shteti shqiptar nga realizimi i projektit.
3.Subjekti investues propozues, për të përfituar statusin “Investitor/investim strategjik procedurë e asistuar”, “Investitor/investim strategjik procedurë e veçantë” class=
Subjekti investues propozues, për të përfituar statusin “Investitor/investim strategjik procedurë e asistuar”, “Investitor/investim strategjik procedurë e veçantë”, kërkesa me shkrim së bashku me dokumentacionin përkatës:
- Planin e biznesit.
- Planin e financimit.
- Programin e punës dhe afatet e parashikuara, të detajuara me fazat dhe veprimet përkatëse.
- Vlerësimin e ndikimit social, ekonomik dhe strategjik të projektit.
- Përfitimet ekonomike, sociale dhe operacionale si edhe niveli i punësimit që parashikohen të realizohen.
- Listën me të gjitha masat, incentivat dhe shërbimet mbështetëse që subjekti investues kërkon nga shteti shqiptar për realizimin e projektit investues.
- Dokumentacionin që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues, si mënyrë garancie. Ky dokumentacion duhet të përmbajë të dhëna financiare, të cilat dëshmojnë në mënyrë bindëse dhe të qartë aftësinë e investitorit për realizimin e investimit, në masën jo më pak se 10 % të vlerës totale të investimit. Dokumentacioni që vërteton këtë kriter mund të jetë:
- Bilance të tre viteve të fundit/ose
- Financim dhe kreditim nga ana e institucioneve bankare ose financiare (vendase ose të huaja)/ose
- Garanci financiare lëshuar nga institute bankare ose financiare/vendase ose të huaja.
- Deklaratën e subjektit investues të interesuar me anë të së cilës subjekti merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe dokumenteve të paraqitura në dosje.
- Autorizimin me shkrim nga ana e investitorit, me të cilin autorizohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në dosje.
- Pranimin e shprehur të investitorit për publikimin e detajeve të përgjithshme të investimit të propozuar, përveç të dhënave që konsiderohen prej tij si konfidenciale, të cilat nuk mund të bëhen publike apo t’u shfaqen personave të tretë, të cilat duhet të përcaktohen, shprehimisht, nga subjekti i interesuar.
- Mandatpagesën për tarifat e aplikueshme.
- Subjektet e interesuara vërtetojnë, njëkohësisht, me anë të dokumentacionit përkatës faktin se subjekti:
- nuk është në proces falimentimi dhe/ose likuidimi.
- nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale.
- kapitalet dhe asetet nuk janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm nga ana e shërbimit përmbarimor.
- i ka përmbushur rregullisht detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe tatimeve.
- i ka përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
