Slider

Një nga tiparet më përcaktuese të Shqipërisë është popullsia e saj e re, e arsimuar, e aftë dhe e adaptueshme.

Një nga tiparet më përcaktuese të Shqipërisë është popullsia e saj e re, e arsimuar, e aftë dhe e adaptueshme.

Popullësi e re

 

Shqipëria karakterizohet nga një popullsi relativisht e re, ku gati gjysma e popullsisë është nën 35 vjeç dhe mosha mesatare vlerësohet të jetë 37.2 vjeç.

Kjo karakteristikë përcaktuese e bën Shqipërinë të dytën në rajonin e Ballkanit Perëndimor për raportin e popullsisë së saj të re, e cila arrin në afërsisht 15% të popullsisë së përgjithshme.

Vendet e Ballkanit

Ky raport bëhet mjaft domethënës kur krahasohet me përqindjen e së njëjtës grupmoshë në popullatën e BE-së, e cila vlerësohet të jetë vetëm 10.6% e popullsisë së përgjithshme.

Popullësi e edukuar


Arsimi cilësor është ndër përparësitë kryesore në Shqipëri, siç dëshmohet nga disa nisma, reforma dhe strategji të ndërmarra me qëllim përmirësimin dhe zhvillimin e tij. Rezultatet e iniciativave të tilla janë njohur gjithashtu jo vetëm në shkallë vendi, por edhe në një peizazh më të gjerë. Krahasuar me shumicën e vendeve fqinje dhe mesataren e OECD, Shqipëria tregon tendencat afatgjata dukshëm më të larta dhe më pozitive në rezultatet mesatare në të gjithë treguesit e matur nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA).
Për më tepër, Shqipëria renditet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor për Cilësinë e formimit profesional dhe Aftësive të të diplomuarve, sipas Raportit Global të Konkurrencës 2019, të hartuar nga Forumi Ekonomik Botëror.

Këto zhvillime pasqyrohen në një pjesëmarrje relativisht të lartë të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në arsimin zyrtar, i cili matet të jetë 82.8% e popullsisë që i përket asaj që njihet si moshë shkollore, ose 611,062 për vitin akademik 2019-2020. 

Në të njëjtën kohë, ka pasur një interes më të madh ndaj arsimit profesional, dhe një rritje të dukshme në regjistrimin e studentëve në arsimin e mesëm të lartë. Shkollat ​​profesionale luajnë një rol të rëndësishëm në arsimimin e studentëve shqiptarë, duke arritur një mesatare të përafërt prej 4000 maturantësh në vit, ose 11.2% të numrit të përgjithshëm të të diplomuarve në arsimin e mesëm të lartë. 

Lidhur me arsimin e lartë, ose studimet universitare, 34,891 studentë u diplomuan në 2019, duke u rritur me 1.6% krahasuar me një vit më parë. Siç dëshmohet nga statistikat e të diplomuarve, fusha më e preferuar e studimeve është Biznesi, Administrata dhe Drejtësia (27.8% e totalit të të diplomuarve), pasuar nga Shëndetësia dhe Mirëqenia (15.4%), Arsimi (10.7%), Artet dhe Shkencat Humane (10.7%) , Shkencat Sociale (10.5%), dhe Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (9.4%). 

 

Popullësi e adoptueshme dhe e aftë

Kapacitetet e të foluarit shumë gjuhë dhe lehtësia e adaptimit në mjedise të ndryshme kulturore dhe të punës janë një tjetër karakteristikë domethënëse e popullatës shqiptare. Pothuajse 40% e popullsisë së rritur të Shqipërisë dinë dhe janë në gjendje të përdorin të paktën një gjuhë të huaj. Ky raport rritet veçanërisht në mesin e popullatës së re, ku më shumë se gjysma dinë dhe janë në gjendje të përdorin të paktën një gjuhë të huaj (58.9%), dhe gati 8% dinë dhe flasin 3 ose më shumë gjuhë të huaja. Gjuhët e huaja dominuese janë anglishtja dhe italishtja, ndërsa gjermanishtja dhe frëngjishtja janë gjithashtu pjesë e programeve mësimore.

Këto aftësi gjuhësore lehtësojnë dukshëm procesin e përshtatshmërisë në vendin e punës duke lehtësuar proceset e trajnimit dhe krijimit të marrëdhënieve të drejtpërdrejta me drejtuesit. AIDA merr vazhdimisht një feedback pozitiv nga kompanitë e huaja që kanë zhvilluar biznesin e tyre në Shqipëri në lidhje me zotësinë e punëtorëve për t'u përshtatur në vendet e punës dhe për shkallën e efiçencës që tregojnë në kohë të shkurtër.

Kjo eksperiencë e kompanive të huaja është e mbështetur dhe në gjetje nga raportet në lidhje me aftësitë. Bazuar në rezultatet e arsimit cilësor dhe aftësimit profesional, si dhe përvojës në disa sektorë, popullata shqiptare renditet e para në nivel rajonal në shtyllën e Aftësive, ku mban rezultatet më të larta rajonale në Aftësitë e fuqisë punëtore aktuale dhe Aftësitë e fuqisë punëtore të ardhshme, sipas Raportit Global të Konkurrueshmërisë 2019.